Latest News

Anëtaret e AWESK-ut përfundojnë gjysmën e programit trajnues

Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë në Kosovë (AWESK) ka përfunduar gjysmën e parë të programit të trajnimeve për anëtarësinë e vet, cikël që zhvillohet në kuadër të projektit të financuar nga USAID “Sigurimi i Furnizimit me Energji në Kosovë (KESS)" që zbatohet nga DT Global.

Anëtaret e AWESK, që nga muaji shkurt, janë trajnuar intenzivisht në këto fusha:

  • Menaxhimi i OJQ-së,

  • Planifikimi i buxhetit, kontabiliteti dhe menaxhimi financiar i OJQ-së,

  • Mundësitë për financim të OJQ-së,

  • Qëndrueshmëria financiare e OJQ-së,

  • Rrjetëzimi për OJQ-të,

  • Përdorimi i energjisë së ripërtëritshme në konsumin shtëpiak dhe në biznese,

  • Efiçienca e energjisë, dhe

  • Tarifat e energjisë elektrike.

Seancat e trajnimit kanë regjistruar prej 13 deri në 30 anëtare pjesëmarrëse të cilat janë karakterizuar me interesim dhe angazhim të madh, edhe pse trajnimet kryesisht janë mbajtur në distancë përmes platformave digjitale.

Anëtaret e trajnuara tani janë më kompetente në fusha të menaxhimit dhe qëndrueshmërisë financiare të shoqatës falë përvojës së ofruesve nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC). Ndërsa, njohuritë specifike nga sektori i energjisë janë fituar gjatë seancave të drejtuara nga ekspertët më të mirë të sektorit të energjisë në Kosovë.

Informacionet dhe njohuritë do t’iu ndihmojnë anëtareve të kontribojnë në realizimin e objektivave të AWESK-ut. Gjithashtu, me këto aftësi, anëtaret do të jenë në gjendje të përdorin njohuritë e tyre për të kontribuar në rritjen e angazhimit nga gratë dhe vajzat në sektorin e energjisë në Kosovë.

Gjysma e mbetur e programit të trajnimeve është planifikuar të zbatohet deri në fillim të muajit korrik.



© Association of Women in the Energy Sector of Kosovo - AWESK

  • White Facebook Icon
  • LinkedIn
  • White Twitter Icon
  • White YouTube Icon